Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka rrëzuar si të pabazuar kallëzimin penal të ngritur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndaj Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe Kryeshefit të NPL “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, për organizimin e tregjeve festive “Akull n’verë” dhe “Verë n’dimër”.
Reagimi i Ramës pas vendimit të Prokurorisë ka qenë i ashpër, duke e cilësuar të gjithë këtë si një “sabotim politik të dështuar”.
“Tentativat për të bllokuar çdo të mirë që bëhet në Kryeqytet janë bërë të përsëritura dhe gjithnjë e më transparente në motivet e tyre”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Rama theksoi se kjo përpjekje për të diskredituar atmosferën festive të fundvitit ishte një sulm i drejtpërdrejtë politik nga pushteti qendror.
Ai shtoi se akuzat e fabrikuara po përplasen me faktet, profesionalizmin institucional dhe vlerësimin objektiv të drejtësisë, duke theksuar se qytetarët po e shohin realitetin dhe se zhvillimi i Prishtinës nuk do të ndalet.
“Kjo është një përballje mes dy qasjeve: njëra që ndërton dhe i shërben qytetarit dhe tjetra që bllokon e saboton. Por drejtësia po e thotë fjalën e saj – dhe Kryeqyteti nuk ndalet”, përfundoi ai.