Dosja sekrete e Nazim Bllacës, emrat e zyrtarëve të LDK-së: 16 raste të vrasjeve e tentim vrasjeve

Dosja sekrete e Nazim Bllacës, emrat e zyrtarëve të LDK-së: 16 raste të vrasjeve e tentim vrasjeve

Janë publikuar dokumente dhe dëshmi të reja tronditëse që hedhin dritë mbi të kaluarën e errët të Nazim Bllacës – dëshmitarit bashkëpunues të EULEX-it, i njohur për deklaratat e tij bombastike në vitin 2009, por që sipas pretendimeve të reja, ka qenë gjithashtu bashkëpunëtor i hershëm i Prokurorisë së Serbisë.

Në emisionin “DebatPlus” janë zbuluar dokumente sekrete dhe të dhëna të pazbuluara më herët që ndërlidhen me një sërë vrasjesh të pasluftës, të cilat dyshohet të jenë kryer për motive politike dhe që kanë lënë gjurmë të thella në jetën politike e shoqërore të Kosovës.

Sipas Pandurit, në vitin 2012, Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së EULEX-it kishte përgatitur një dosje sekrete me numër referimi: OCIU/22/20120131/3297, ku Nazim Bllaca përmendet si i dyshuar, por edhe si kontribues në përpilimin e këtij dokumenti.

“Në llaptopin e tij, është gjetur një dokument që flet për vrasjet e pasluftës. Ka ekzistuar ky dokument, është përmendur në gojëdhëna, por tashmë është zbuluar edhe në publik”, deklaroi Panduri.

Sipas këtij dokumenti, janë evidentuar 16 raste të vrasjeve dhe tentim-vrasjeve me motive politike. Sipas raportit, objektiv i këtyre atentateve ishin zyrtarë të LDK-së dhe ish-zyrtarë të sigurimit të regjimit serb.

Ndër rastet e përmendura në dokument janë:

Selim Brosha, ish-zyrtar i lartë i UDB-së, i vrarë më 14 shtator 2000

Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku, të vrarë më 19 tetor 2001, ku mbeti i plagosur Gani Geci

Sali Gashi, anëtar i LDK-së, i vrarë më 15 qershor 1999

Haki Imeri, kryetar i degës së LDK-së në Turicë të Skenderajt, i vrarë më 2 nëntor 1999

Ahmet Istogu dhe Tahir Zemaj – ky i fundit me një pasaktësi në raport ku thuhet gabimisht se ishte anëtar i AAK-së

Ibush Kllokoqi, ish-zyrtar i sigurimit serb, i ekzekutuar më 6 gusht 1999

“A ju kujtohet emri Selim Brosha? Është përmendur shumë në ciklin e emisioneve ‘Tradhti Vëllazërore’. Ai ishte një UDB-sh i njohur, dhe vrasja e tij ka zënë vend të veçantë në dosjen sekrete të hetuesve të EULEX-it”, theksoi Panduri.

Përtej përfshirjes në dokumente hetimore, në emision janë paraqitur edhe dëshmi për privilegjet e jashtëzakonshme që Bllaca kishte në paraburgim – përfshirë përdorimin e telefonit brenda burgut, posedimin e një llaptopi me dokumente, komunikime, video e dëshmi, si dhe programe të veçanta për regjistrim të bisedave.

Related Articles