Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me rastin e 27-vjeçarit në Lipjan, i cili vdiq në rrethana të dyshimta pas arrestimit nga Policia e Kosovës. Për këtë rast, janë arrestuar pesë policë.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Avokati i Popullit ka bërë me dije se ka hapur procedurë hetimore për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Në reagim thuhet se ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e rasteve. Po ashtu është e rëndësishme të theksohet rëndësia e zbatimit të standardeve profesionale në çdo ndërhyrje policore dhe domosdoshmërinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët e rendit. Avokati i Popullit do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet rreth këtyre rasteve dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve”, thuhet në reagim.
Rasti tjetër për të cilin është nisur hetim është ai për pamjet që u publikuan ku shiheshin zyrtarë policorë duke e rrahur një qytetar ndonëse i njëjti ishte i prangosur.