Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me çështjen e buxhetit të Komunës.
Murati njoftoi se i ka dhënë ChatGPT-së, një mjet i inteligjencës artificiale, postimin e Ramës dhe atë të vetin, duke e pyetur se kush nga të dy po e thotë të vërtetën.
“Shiheni se çfarë përgjigje ktheu”, shkroi Murati, duke bashkëngjitur edhe pamjen e përgjigjes së ChatGPT, e cila duket të mbështesë versionin e tij mbi menaxhimin e buxhetit komunal.
Rama ka akuzuar qeverinë se ka bllokuar buxhetin, duke e cilësuar veprim të motivuar politikisht, kurse Murati e ka cilësuar “gënjeshtër” akuzën e Ramës. Kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar “paralizë institucionale” për shkak të mungesës së fondeve, ndërsa ministri në detyrë ka bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit.
Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës ka theksuar të se nuk ka mundur t’i procedojë ndihmat financiare për familjet në nevojë, derisa vazhdojnë përplasjet mes nivelit lokal dhe atij qendror në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë.