Bajrami takon zyrtarin e lartë amerikan: LDK propozon zgjidhje gjithëpërfshirëse për krizën institucionale

Bajrami takon zyrtarin e lartë amerikan: LDK propozon zgjidhje gjithëpërfshirëse për krizën institucionale

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka zhvilluar një takim me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se në takim përfaqësoi LDK-në dhe falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës, qoftë në momentet e vështira historike, ashtu edhe tani në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Ajo tha se në takim ka shprehur shqetësimin për krizën e thellë institucionale që sipas saj po paralizon vendin, dhe ka ritheksuar qëndrimin e LDK-së se vendit i nevojitet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike.

“LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare. Ne qëndrojmë në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror”, shkroi Bajrami.

Ajo theksoi se LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare për tejkalimin e bllokadës aktuale institucionale, që do ta kthente vendin në normalitet deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026.

Bajrami shtoi se partia e saj është e gatshme të diskutojë edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sigurojnë stabilitet.

“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rrugës euroatlantike dhe forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Bajrami.

Related Articles