Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës në rastin ‘Veteranët’, përmes së cilit ai u dënua me 1 vit burg, raporton Gazeta Enigma.
Ai ka thënë se kjo nuk e ndalon të vazhdojë rrugën për kryetar të Lipjanit.
“Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani”, theksoi ai.
“Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë”, shtoi tutje ai.
Buja tha se “Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht”, ai nuk i mohon “por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore”.
“Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye unë do të vazhdoj betejën ligjore deri në fund”, theksoi ai. / Gazeta Enigma.