Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., i cili ndodhet në paraburgim që nga 13 marsi 2025, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”.
Sipas aktakuzës, E.K. dyshohet se nga korriku 2023 deri në mars 2025 ka përfituar pasuri të konsiderueshme përmes fajdes ndaj viktimës V.Q., duke e dëmtuar atë financiarisht me rreth 100,000 euro.
Gjatë kontrollit në pronat e të pandehurit, janë sekuestruar para në valuta të ndryshme dhe një veturë.
Komunikata:
Aktakuzë për veprën penale fajdeja
Prizren, 17 Korrik 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., i cili gjenden nën masën e paraburgimit nga data 13.03.2025 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.2 lidhur me par.1, pikat: 1.1; 1.2; 1.3; 1.4 dhe 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., që nga muaji Korrik i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, përkatësisht deri më 06.03.2025 për vete apo për personin tjetër pranon dhe kontrakton shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, papërvojën dhe paaftësinë e tij për të gjykuar, në atë mënyrë që duke filluar nga muaji Korrik i vitit 2023, ia jep viktimës V.Q., shumën e të hollave prej 5,000.00 € (pesëmijë euro) për të cilën shumë e ngarkon viktimën me 15% kamatë, pra duke e obliguar atë t’ia kthejë 6,000.00 € (gjashtëmijë euro), duke vazhduar më tej, brenda një kohe të shkurtër, ia jep viktimës edhe dy herë nga 10,000.00 € (dhjetëmijë euro) në total 20,000.00 € për të cilat të holla e ngarkon të njejtin me 20% kamatë, praktikisht duke e obliguar atë t’ia kthejë 24,000.00 € (njëzet e katërmijë euro) dhe fill pas kësaj, viktima sërish pranon nga i pandehuri shumën e të hollave prej 25,000.00 € (njëzet e pesëmijë euro), të cilën shumë për shkak të vonesave disa ditore në pagesa, është detyruar ta paguajë në total shumën prej 40,000.00 € (katër dhjetë mijë euro), për të cilën më pas ka vazhduar të paguajë nga 6,000.00 € (gjashtëmijë euro) kamatë për muaj, me ç’rast aktualisht shuma e detyrimit prej 40,000.00 € (katër dhjetë mijë euro) ka arritur vlerën prej 51,000.00 € (pesëdhjetë e njëmijë euro), i cili përveç kësaj, pajtohet që nga i pandehuri ta blejë edhe një veturë, të cilën pas tre muajve do ta paguante 38,000.00 € për blerjen së cilës ia paguan të pandehurit këstin e parë prej 8,000.00 € (tetëmijë eurosh), mirëpo pavarësisht se i pandehuri ia pranon pagesën e shumës prej 8,000.00 € (tetëmijë euro), ia merr sërish dhunshëm veturën, madje duke e obliguar atë që t’ia paguajë shtesë edhe 6,000.00 € (gjashtëmijë euro) të tjera me justifikimin se viktima e kishte shfrytëzuar veturën për një kohë të shkurtër, ku përveç tjerash, viktima me qëllim që t’i rikuperojë humbjet financiare, është detyruar që të hedh në shitje edhe dy banesa të tij, me ç’rast i pandehuri ka arritur t’i shkaktojë viktimës humbje financiare rreth 100,000.00 € (njëqind mijë euro) nga të cilat humbje, viktima vazhdon t’i detyrohet të pandehurit edhe 48,000.00 € (katërdhjetë e tetë mijë euro) të tjera dhe përveç tjerash, pas arrestimit të të pandehurit dhe zbatimit të urdhër-kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij, policia ka sekuestruar një shumë të të hollave prej 8,985.00 € (Tetëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë euro); 580.00 CH (Pesëqind e tetëdhjetë franga zvicerane); 1,000.00 $ (Njëmijë dollarë amerikanë) dhe 17,700.00 Lekë shqiptare si dhe një veturë për të cilat prova, ekziston dyshimi i bazuar mirë se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.