Një incident me pasoja të rënda materiale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Gjakovë, ku një zjarr ka kapluar një lokal marketingu dhe printimesh, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 19 korrik 2025, rreth orës 01:40, në rrugën “Remzi Pula”.
Ankuesi V.S., rreth 42-vjeçar, pronar i biznesit, ka deklaruar se zjarri ka përfshirë një pjesë të lokalit ku ndodheshin makineri të shumta pune, duke vlerësuar dëmet në rreth 50 mijë euro.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa zjarri është lokalizuar me shpejtësi nga njësitë e zjarrfikësve, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Sipas pronarit, nuk ka dyshime se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe ekspertët e zjarreve, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimet janë në zhvillim.