Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin për t’ua dhënë nga 30 ditë paraburgim pesë zyrtarëve policorë të dyshuar se e vranë “nga pakujdesia” 27-vjeçarin Agon Zejnullahu pas mesnatës së 7 korrikut në Lipjan.
Për këtë ka reaguar Alban Zejnullahu, vëllai i Agon Zejnullahut, tha në Kosova Live në T7 se shpresojnë që Gjykata Themelore do të marrë sërish vendim për paraburgosjen e policëve.
“Shpresojmë që Gjykata Themelore në Lipjan do të vendosë njëjtë masën siç ka qenë dhe prapë do ta caktojë masën e paraburgimit ndaj atyre që e vranë vëllanë tonë”, tha ai.
Ai paralajmëroi se ndonjë vendim tjetër do t’i shtynte ata si familjarë që të mendojnë “për opsionet tjera”.
“Përndryshe, çfarëdo vendimi tjetër, përveç neve si familje që na i rihapë plagët e vuajtjes, na shtyn me mendu edhe për opsionet tjera. Andaj u lutemi të gjithëve, sidomos këtyre institucioneve, i lusim, me gjithë qenien po e them, që drejtësia të vijë në vend”, tha ai.
I pyetur se a po aludon për hakmarrje, Alban Zejnullahu tha: “Nuk thashë diçka konkrete, por drejtësia do të vijë në vend”.