Policia e stacionit në Ferizaj ka njoftuar se ka reaguar pas një rasti të raportuar të sulmit fizik dhe lëndimit të rëndë trupor, i cili ka ndodhur më 25 korrik 2025, rreth orës 20:55, në një kafene në sheshin e qytetit të Ferizajt.
Viktima, sipas policisë, është punonjës sigurimi, 41-vjeçar, i cili thotë e është sulmuar nga katër persona të dyshuar, të cilët kanë përdorur mjete të forta dhe një thikë.
“Si pasojë, ai ka pësuar lëndime trupore dhe fillimisht është trajtuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm”.
“Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe analizës së pamjeve të siguruara, policia ka identifikuar katër të dyshuar. Dy prej tyre, K.M. (33 vjeç) dhe E.K. (26 vjeç), janë arrestuar, intervistuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”; ka njoftuar policia.
Ndërkaq, dy të dyshuarit tjerë, tashmë të njohur për policinë, janë shpallur në kërkim policor.
Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim të ngushtë me prokurorin e rastit dhe policia do të vazhdojë me veprime të mëtejme për ndriçimin e plotë të këtij rasti.