Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, ka njoftuar se aktualisht janë 17 vatra zjarri aktive në disa qarqe të Shqipërisë, ku puna për izolimin dhe shuarjen e tyre vazhdon pa ndërprerje.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se janë angazhuar rreth 1000 forca ushtarake dhe civile për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve. Këto forca janë nën koordinimin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).
“Nën koordinimin e AKMC po sigurojmë mbështetjen e mjeteve të Forcës Ajrore në disa zona si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, me 5 helikopterë të përfshirë në operacione në këto momente.”
Ministri Vengu ka shtuar se deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen vazhdimisht për të parandaluar riaktivizimin e tyre.
“Deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin,” deklaroi ai.
Në vijim të operacioneve, dy avionë “Canadair” nga Italia dhe Kroacia pritet të angazhohen gjatë pasdites për të forcuar më tej ndërhyrjen ajrore.