Sigurimi i votave, Zemaj: Kemi dëgjuar se deputetëve minoritarë joserbë po u bëhet presion

Sigurimi i votave, Zemaj: Kemi dëgjuar se deputetëve minoritarë joserbë po u bëhet presion

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet pas pak minutash, në seancën e thirrur për në ora 22:00 për tentimin e 54-të për konstituim. Kjo do të jetë edhe përpjekja e fundit para përfundimit të afatit kushtetues.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Armend Zemaj,  para mediave ka deklaruar se kanë dëgjuar për presion ndaj deputetëve të komuniteteve minoritare joserbe në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit në përpjekjen e 54-t që do të mbahet në orën 22:00.

“Ka presion te deputetë, sidomos te grupet minoritare. Këtë e kemi dëgjuar nga kolegët tanë të komuniteteve joserbe, të cilët thonë se po u bëhet presion që të japin votën shtesë në bazë të interesave dhe kërkesave që kanë paraqitur. Kjo nuk i kontribuon as demokracisë dhe as stabilitetit institucional”, ka thënë Zemaj para hyrjes në Kuvend.

Kujtojmë se deputetët u mblodhën sot edhe gjatë ditës, por sërish nuk pati zhbllokim të situatës.

107 deputetë ishin të pranishëm në sallë në seancën e sotme, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Related Articles