Edhe sivjet blerja e teksteve shkollore do të subvencionohet nga MASHTI

Edhe sivjet blerja e teksteve shkollore do të subvencionohet nga MASHTI

Ministria e Arsimit edhe këtë vit do t’i subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit nga klasa 1 deri në të 9-ën. Aplikimi pritet të hapet në fillim të muajit gusht. Kështu, kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit.

E, njohës të fushës së Arsimit po vlerësojnë se procesi i furnizimit me tekste shkollore për nxënësit dy vitet e kaluara është përcjellë me disa probleme, por se ka sjellë edhe disa përparësi.

Edhe përkundër që dy vitet e kaluara ka pasur pakënaqësi nga ana e prindërve dhe është vlerësuar si jo i qëlluar subvencionimi i prindërve për pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore, edhe këtë vit Ministria e Arsimit pritet që së shpejti të hapë thirrjen për aplikim.

Ministria e Arsimit në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur së të gjithë nxënësit do të kenë kohë të mjaftueshme të pajisen me tekste shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Procesi dhe shpallja e thirrjes për subvencionim nga MASHT-i do të publikohet së shpejti, dhe të gjithë përfituesit e kësaj skeme do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u furnizuar me tekste shkollore dhe materiale mësimore para fillimit të vitit shkollor 2025/2026.”

Tutje, në përgjigjen e Ministrisë bëhet e ditur se këtë vit ministria, përmes grupeve punuese kanë analizuar dhe kanë nxjerrë rekomandime e reflektime mbi bazën e përvojës nga vitet e kaluara.

“Grupet punuese në kuadër të MASHT-it kanë analizuar dhe kanë nxjerrë rekomandime e  reflektime mbi bazën e përvojës nga vitet e kaluara. Procesi dhe shpallja gjithashtu, përgatitja e moduleve të veçanta për verifikimin e nxënësve është duke u avancuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa roli i shkollave do të jetë më aktiv për të siguruar që mjetet të shkojnë te secili nxënës dhe furnizimi me tekste shkollore të realizohet me transparencë të plotë.”

Related Articles