Arbër Ismajli zyrtarizohet kandidat, Abdixhiku: Gjilani do ketë një kryetar që shërben – jo që sundon

Arbër Ismajli zyrtarizohet kandidat, Abdixhiku: Gjilani do ketë një kryetar që shërben – jo që sundon

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Arbër Ismajlit për kryetar të Gjilanit, në zgjedhjet e tetorit.

Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, tha se Arbëri është “biri i këtij qyteti”.

“Është rritur në rrugët e këtij vendi. I njeh hallet e secilës lagje, e ndjen shpirtin e secilit fshat, e njeh ndjeshmërinë e këtij populli. Nuk është prodhim zyre. Nuk është emër i importuar nga rrjetet sociale. Është i yni. Është i juaji. Është i Gjilanit. Ai nuk vjen me fjalë të mëdha, por me plane konkrete. Nuk vjen me moralizime, por me angazhime. Nuk vjen për t’ju treguar juve se çfarë të mendoni – por për të dëgjuar, bashkëpunuar dhe zgjidhur problemet që ju i ballafaqoni”, shkroi Abdixhiku.

I pari i LDK-së tha se me Arbërin, “Gjilani do të ketë një kryetar që shërben – jo që sundon. Një kryetar që respekton – jo që përçmon. Një kryetar që ndërton – jo që arsyeton”.

“Kjo është filozofia jonë. Qyteti nuk është pronë e askujt. Është besim i përbashkët. Është përgjegjësi e përditshme. Dhe ky besim nuk falet. Meritohet. Më 12 tetor, Gjilani ka një mundësi të artë për ta ndalur rënien. Për ta ndalur arrogancën. Për ta ndalur improvizimin. Ka mundësinë ta zgjedhë punën përpara fjalës. Zgjuarsinë përpara propagandës. Thjeshtësinë përpara mendjemadhësisë. Dhe këtë mundësi e ka në duar. E ka në zemër. E ka në votë. E ka me Arbër R. Ismajli!”, u shpreh tutje Abdixhiku.

Related Articles