Këto janë shtetet që mund të preken nga cunami pas tërmetit 8.8 ballë në Rusi

Këto janë shtetet që mund të preken nga cunami pas tërmetit 8.8 ballë në Rusi

Një tërmet me magnitudë 8.8 goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke u konsideruar si një nga tërmetet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë në këtë rajon. Tërmeti ka shkaktuar valë cunami deri në 4 metra të larta, dëme të konsiderueshme materiale dhe ka nxitur paralajmërime për cunami në disa vende të Oqeanit Paqësor, sipas agjencisë Reuters.

Guvernatori i Kamçatkës e përshkroi ngjarjen si “tërmeti më serioz dhe më i fuqishmi në dhjetë vitet e fundit.” Sipas autoriteteve vendase, disa persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dëme janë raportuar në infrastrukturë. Ministri rajonal për emergjenca, Sergei Lebedev, konfirmoi në një video në rrjetet sociale se një cunami me lartësi deri në 4 metra është goditur pas tërmetit, duke kërkuar evakuim të menjëhershëm të zonave bregdetare.

Institucionet shkencore ruse e cilësuan ngjarjen si një “tërmet unik” që nuk ishte parë që prej vitit 1952, ndërsa paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 125 kilometra nga qyteti bregdetar Petropavlovsk-Kamchatsky, në një thellësi prej 19.3 kilometrash, sipas Institutit Amerikan të Sizmologjisë (USGS).

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për valë cunami deri në 3 metra në pjesën lindore të vendit. Më shumë se 1.9 milion banorë në 21 prefektura u urdhëruan të evakuohen. Televizioni publik NHK raportoi ndërprerje të mëdha të trafikut dhe mbyllje të përkohshme të disa rrugëve.

Punonjësit në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës janë evakuuar për arsye sigurie, raportoi AFP.

Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet kanë aktivizuar sistemet e paralajmërimit për cunami. Zyrtarët paralajmëruan se valë deri në 3 metra mund të godasin bregun perëndimor të SHBA-së, ndërsa ndikimi mund të shtrihet edhe në Ekuador, Japoni, Hawai, Kili dhe Ishujt Solomon.

Në Haëai, autoritetet urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të zonave të ulëta. Guvernatori Josh Green u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për evakuim.

Filipinet paralajmëruan qytetarët të shmangin plazhet dhe zonat bregdetare për shkak të rrezikut të valëve të paparashikueshme. Në Meksikë, marina paralajmëroi për mbërritjen e valëve në Ensenada dhe më tej përgjatë bregdetit të Paqësorit deri në Chiapas.

Autoritetet në Zelandën e Re lëshuan një paralajmërim për rrjedha të forta dhe valë të rrezikshme në të gjithë vijën bregdetare, duke i këshilluar banorët të qëndrojnë larg ujit dhe porteve.

Instituti Gjeofizik i Akademisë së Shkencave të Rusisë bëri të ditur se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në Kamçatka, kur një tërmet me magnitudë 9.0 shkaktoi valë cunami në Havai, por pa viktima të raportuara.

Shkencëtarët paralajmëruan se situata, ndonëse “nën kontroll”, mbetet e rrezikshme për shkak të pasgoditjeve të mundshme dhe u bënë thirrje qytetarëve të shmangin zonat bregdetare për një periudhë të pacaktuar.

Related Articles