Hamasi thotë se do sigurojë ushqim për pengjet, nëse Izraeli hap koridoret për ndihma

Hamasi thotë se do sigurojë ushqim për pengjet, nëse Izraeli hap koridoret për ndihma

Hamasi është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo kërkesë nga Kryqi i Kuq për të dërguar ushqim dhe ndihmë te pengjet izraelite që mbahen në Rripin e Gazës.

Këtë e ka bërë të ditur për agjencinë reuters një anëtar i krahut të armatosur të këtij grupi, duke theksuar se ata nuk do të pengojnë misionet humanitare, për sa kohë ato kryhen në përputhje me rrethanat në terren dhe nuk rrezikojnë jetën e civilëve apo të luftëtarëve palestinezë.

Kjo deklaratë vjen menjëherë pas një vale reagimesh të ashpra nga ana e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili akuzoi Hamasin për atë që ai e quajti “urí sistematike” ndaj pengjeve izraelite.

Reagimi i Netanyahut erdhi pas publikimit të një videoje tronditëse nga Hamasi, ku shfaqej një peng izraelit në gjendje të rënduar fizike, i dobësuar skajshmërisht dhe i mbyllur në një tunel prej betoni, pa ndonjë shenjë të qartë se kishte marrë ushqim apo ndihmë mjekësore.

Në një deklaratë për mediat, Netanyahu tha se kishte zhvilluar një bisedë urgjente me drejtuesin rajonal të Kryqit të Kuq, ku kishte kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga organizata humanitare për të siguruar furnizim me ushqim dhe trajtim shëndetësor për të gjithë pengjet që mbahen në Gaza. Ai theksoi se është e papranueshme që pengjet të mbahen në kushte çnjerëzore dhe pa asnjë qasje në ndihma bazë.

Nga ana tjetër, Hamasi vendosi disa kushte të qarta për lehtësimin e dërgimit të ndihmave. Grupi palestinez deklaroi se çdo përpjekje për të siguruar ushqim apo trajtim për pengjet duhet të shoqërohet me hapjen e përhershme të korridoreve humanitare nga Izraeli.

Për më tepër, ata kërkuan ndalimin e plotë të të gjitha formave të trafikut ajror gjatë shpërndarjes së pakove humanitare, duke paralajmëruar se bombardimet izraelite përbëjnë rrezik serioz për jetën e ekipeve humanitare dhe për vetë pengjet.

Ky zhvillim vjen në një kohë të ndjeshme, kur presioni ndërkombëtar ndaj të dyja palëve po rritet për të gjetur një zgjidhje humane për çështjen e pengjeve, ndërsa situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet çdo ditë. 

Related Articles