Rusia bën thirrje për kujdes “me retorikën bërthamore”

Rusia bën thirrje për kujdes “me retorikën bërthamore”

Rusia bëri thirrje për kujdes, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar njoftoi për dislokimin e dy nëndetëseve bërthamore afër Rusisë, pas një përplasjeje online me ish-presidentin rus, Dmitry Medvedev.

Trump tha se ka urdhëruar dislokimin e dy nëndetëseve bërthamore për shkak të “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” të bëra nga Medvedevi.

Presidenti amerikan nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për nëndetëse të pajisura me armë bërthamore apo vetëm nëndetëse që operojnë me energji bërthamore.

Ai po ashtu nuk dha detaje për vendndodhjen e nëndetëseve, pasi vendndodhjet e tyre mbahen sekret nga ushtria amerikane.

“Rusia është shumë e vëmendshme ndaj çështjes së mospërhapjes bërthamore. Ne besojmë se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm me retorikën bërthamore”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një prononcimi për gazetarë më 4 gusht.

Përplasja mes Medvedevit dhe Trumpit ndodhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë afat Rusisë deri më 8 gusht që t’i japë fund luftës kundër Ukrainës ose në të kundërtën do të përballet me sanksione.

Medvedev i tha Trumpit se “çdo ultimatum është kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo në mes të Rusisë dhe Ukrainës, por kundër shtetit të tij”.

Aktualisht, Medvedev është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë.

Medvedev njihet për deklaratat e tij provokuese dhe nxitëse që nga fillimi i luftës në Ukrainë në 2022.

Ai shpesh ka bërë kërcënime bërthamore dhe ka fyer udhëheqësit perëndimorë përmes postimeve në rrjetet sociale.

Trump dhe Medvedev janë përplasur edhe në të kaluarën përmes postimeve në rrjetet sociale.

Related Articles