Australia do të njohë një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, pas vendimeve të ngjashme nga Britania, Franca dhe Kanadaja, ka thënë kryeministri australian, Anthony Albanese.
Albanese tha se vendi i tij ka marrë zotime nga Autoriteti Palestinez për disa çështje, përfshirë demilitarizimin, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vazhdimin e njohjes së të drejtës së Izraelit për të ekzistuar.
“Një zgjidhje me dy shtete është shpresa më e mirë e njerëzimit për ta thyer ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’u dhënë fund konfliktit, vuajtjes dhe vdekjes nga uria në Gaza” – tha të hënën kryeministri Australian.
Izraeli, nën presion të shtuar për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ka thënë se njohja e një shteti palestinez “e shpërblen terrorizmin”.
Nga e shtuna, pesë njerëz kanë vdekur si rezultat i urisë dhe kequshqyerjes në Gaza, duke e çuar në 217 numrin e vdekjeve të tilla, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila menaxhohet nga Hamasi.
Kjo ministri tha gjithashtu se mbi 61 mijë njerëz janë vrarë si rezultat i fushatës ushtarake të Izraelit nga fillimi i luftës më 2023.
Autoriteti Palestinez, i cili kontrollon disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, më herët thanë se njohja e shtetësisë tregon përkrahje në rritje për vetëvendosjen e popullit palestinez.
Albanese tha se vendimi për njohjen e një shteti palestinez u mor, pasi qeveria e tij mori zotime nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, se Hamasi nuk do të luajë rol në shtetin e ardhshëm.
Vendimi u mor edhe pas bisedave të kryeministrit australian me homologët nga Britania, Franca, Japonia e Zelanda e Re gjatë dy javëve të kaluara, tha Albanese.
“Është një moment i mundësisë këtu dhe Australia do të punojë me komunitetin ndërkombëtar për ta kapur këtë moment” – tha kryeministri i Australisë, për të cilin është raportuar se ka prejardhje shqiptare, më saktësisht nga arbëreshët e Italisë.
Edhe Zelanda e Re, fqinje e Australisë, është duke e shqyrtuar njohjen e një shteti palestinez, tha ministri i Jashtëm i këtij shteti, Winston Peters.