Rrahja e qytetarit në Klinë, ngritet aktakuzë ndaj tre ish-policëve

Rrahja e qytetarit në Klinë, ngritet aktakuzë ndaj tre ish-policëve

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre ish-zyrtarëve policor për keqtrajtimin e një viktime në Klinë.

Të akuzuarit, me inicialet N.G, Sh.S dhe E.E, në cilësinë e zyrtarëve policorë nga Njësia Reaguese e Stacionit Policor të Klinës, dyshohen për kryerjen e veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe duke keqpërdorur autorizimet e tyre në kundërshtim me nenin 11 të Ligjit Nr. 04/L-076 për Policinë, me dashje e kanë keqtrajtuar viktimën D.K. Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur pasi të pandehurit i janë përgjigjur një thirrjeje të një qytetari, i cili kishte pretenduar se ishte sulmuar nga D.K. Ata kanë identifikuar viktimën dhe janë drejtuar në shtëpinë e tij, ku fillimisht e kanë informuar se do të shoqërohej në stacionin policor. Më pas, gjatë tentativës për ta prangosur, zyrtarët Sh.S dhe E.E e kanë mbajtur atë nga krahët, ndërsa i pandehuri N.G ka filluar ta godasë me shuplaka disa herë në kokë, e më pas edhe me grushte në pjesën e abdomenit, duke cenuar rëndë dinjitetin njerëzor të viktimës. Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Gjithashtu, i pandehuri N.G akuzohet edhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, pasi i ka shkaktuar viktimës lëndime të lehta fizike, të konstatuara në aktin e ekspertizës mjeko-ligjore, duke e goditur atë me shuplaka në kokë dhe me grushte në bark. Të tre të pandehurit janë akuzuar gjithashtu për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, pasi më 28 qershor 2025, në Stacionin Policor në Klinë, në cilësinë e zyrtarëve policorë, me dashje dhe duke vepruar në bashkëveprim, janë marrë vesh për të njoftuar rrejshëm autoritetet për hetim, duke pretenduar se i dëmtuari D.K kishte kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Prokurori i çështjes, përveç kërkesës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u ngarkohen, ka propozuar edhe dënim plotësues ndaj tyre, përmes masës “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në vende publike ose shërbime publike”.

Related Articles