Drejtoria e RTK-së i ka reaguar drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili, i cili publikoi e-mailet për rikthimin e Jeta Xharrës në RTK.
Drejtoria ka thënë se publikimi në rrjete sociale është nxjerr nga konteksti, dhe ka synim manipulative.
Reagimi:
Komisioni për Vepra Audiovizuale reagon lidhur me publikimin e një komunikimi të brendshëm institucional në rrjetin social Facebook nga ana e Drejtorit të Radios, z. Arsim Halili.
Ky publikim është bërë pa autorizim zyrtar dhe paraqet përmbajtje të nxjerrë jashtë kontekstit, duke manipuluar dhe shtrembëruar kuptimin e vërtetë të materialit. Një veprim i tillë është manipulativ, tendencioz dhe me qëllim të qartë dëmtimin e imazhit të transmetuesit publik.
Theksojmë se çdo komunikim brenda Komisionit përbën korrespondencë zyrtare dhe, sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, është i qasshëm përmes procedurave të përcaktuara me ligj. Çdo publikim i pjesshëm apo jashtë kontekstit, pa autorizim dhe pa pasqyrim të qëndrimit zyrtar të institucionit, është shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe rregulloreve të RTK-së, sidomos kur kryhet nga një anëtar i lartë i menaxhmentit.
Në mënyrë të veçantë, sqarojmë se komunikimi i përmendur i referohet një procedure të rregullt të shqyrtimit të një projekt-propozimi audiovizual, proces i cili është zhvilluar në përputhje të plotë me Rregulloren për Vepra Audiovizuale të RTK-së dhe me aktet nënligjore përkatëse. Të gjithë anëtarët e Komisionit kanë kontribuar dhe rënë dakord mbi përmbajtjen e komunikimit zyrtar, përpara se ai t’i dërgohet subjektit aplikues, ashtu siç është paraparë me procedurat standarde.
Komisioni kundërshton çdo përpjekje për të keqpërdorur proceset institucionale për qëllime personale apo për të ndikuar në opinionin publik në mënyrë të pasaktë dhe të dëmshme.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj transparencës, profesionalizmit dhe respektimit të plotë të rregulloreve dhe standardeve ligjore në çdo vendim dhe veprim tonin.