Fajdexhiu që dyshohet se vrau tre persona në Gjilan ishte fotografuar me Kurtin – Reagon LVV

Fajdexhiu që dyshohet se vrau tre persona në Gjilan ishte fotografuar me Kurtin – Reagon LVV

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodrai, vazhdon të jetë në arrati. Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ekzistojnë rreth 30 vepra penale, kryesisht për fajde.

Në media janë publikuar fotografi të shumta të Shkodrait me politikanë kosovarë, përfshirë edhe me Albin Kurtin, kryeministër në detyrë i Kosovës. Për këto foto ka reaguar deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i është kundërpërgjigjur Tahirit, duke theksuar se: “Z. Abelard Tahiri sot gënjeu publikisht dhe atë me vetëdije.

“Z. Abelard Tahiri sot gënjeu publikisht dhe atë me vetëdije. Ai sot, në një konferencë për media, ndonëse deputet, me vetëdije të plotë iu bashkua fushatës së rrjeteve sociale përmes së cilës synohet njollosja e Kryeministrit dhe Qeverisë Kurti dhe lidhja e saj me dorasin Mefail Shkodra përmes një fotografie. Deputeti Tahiri mashtroi publikisht kur tha se ajo fotografi ishte shkrepur në një pritje shtetërore të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Edhe pse e di që ajo ngjarje është, në fakt, pritje e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. E di, sepse vetë ka qenë i ftuar dhe i pranishëm në po atë ngjarje të vitit 2022, sikurse dëshmon fotografia më poshtë. E kur ai e thotë qëllimisht e publikisht të pavërtetën, atëherë nuk i mbetet kredibiliteti për të thënë çkado tjetër”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe shefja e shtetit, Vjosa Osmani e cila tha se “Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike”.

“Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë”.

“Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, thuhet në reagimin e presidentes, e cila ka kërkuar po ashtu që rasti të zbardhet së më shpejt.”

Shkodra foto kishte edhe me Xhelal Sveçlën dhe Përparim Ramën.

Ndryshe, Shkodra bashkë me dy djemtë e tij vazhdon të jetë në arrati dhe në kërkim nga autoritetet e vendit.

Related Articles