Trupat e Gardës Kombëtare Amerikane kanë filluar të shfaqen në rrugët e Uashington DC, një ditë pasi presidenti Donald Trump vendosi trupat në qytet dhe mori kontrollin e forcës policore, duke argumentuar se krimi i dhunshëm aty është jashtë kontrollit.
Automjete të blinduara u vunë re në qendrat urbane dhe vendet turistike rreth kryeqytetit të SHBA-së të martën në mbrëmje, raporton BBC.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se pritet të vendosen 800 trupa të Gardës Kombëtare, si dhe 500 agjentë federalë të zbatimit të ligjit.
Kryebashkiakja e Uashington DC, Muriel Boëser, një demokrate që ka mohuar se krimi është jashtë kontrollit në qytetin e saj, e ka përshkruar vendosjen e trupave si një “shtytje autoritare”.
Trump, një republikan, ka kërcënuar gjithashtu me vendosje të ngjashme në Nju Jork dhe Çikago, dy qytete të tjera të kontrolluara nga demokratët.
Trupat e Gardës kanë hyrë në kryeqytetin e SHBA-së që nga njoftimi i Trumpit të hënën. Ata janë parë duke ngritur barrikada jashtë disa ndërtesave qeveritare dhe duke bërë foto me turistët.
Njëzet e tre persona janë arrestuar nga agjentët federalë të hënën në mbrëmje, sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Agjentët po ndihmojnë zbatimin e ligjit lokal.
Ajo ka theksuar se arrestimet ishin për vrasje, vepra penale me armë zjarri, trafik droge, akte të turpshme, ndjekje, drejtim veture pa kujdes dhe krime të tjera.
“Ky është vetëm fillimi”, ka thënë Leavitt në një konferencë për media.
“Gjatë muajit të ardhshëm, administrata Trump do të ndjekë dhe arrestojë pa pushim çdo kriminel të dhunshëm në Distrikt që shkel ligjin, minon sigurinë publike dhe rrezikon amerikanët që zbatojnë ligjin”, ka shtuar ajo.