Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rrezikon të shndërrohet në vegël politike të Lëvizjes Vetëvendosje, tha sot Eugen Cakolli, pjesëtar i shoqërisë civile dhe kritik i qeverisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Pjesëtari i Demokracisë në Veprim (DnV) tha se vendosja në krye të Administratës Tatimore e një ish-kandidati për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, përbën kapje të institucionit publik të tatimeve.
Cakolli alarmoi rrezikun e shndërrimit të ATK-së në instrument politik “për presione të caktuara”.
“Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyçe të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike”, tha ai.
“Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara”, alarmoi Cakolli.
Sipas Cakollit, përpos kapjes së ATK-së, vendimi përbën shkelje tjetër ligjore të ministrit të Financave, Hekuran Murati, në kundërshtim me kompetencat që ka qeveria në detyrë.
“Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)Ministrin e Financave”, tha Cakolli.
Ministria e Financave e emëroi sot në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hysenin, një ish-kandidat për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje.