Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se administrata amerikane është duke bërë “përpjekje të sinqerta” për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë dhe la të kuptohej se Moska dhe Uashingtoni mund të arrijnë një marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore.
Duke folur në një takim në Kremlin me zyrtarët më të lartë ushtarakë e civilë të Rusisë, Putini tha se ai do t’i njoftonte ata për situatën e bisedimeve rreth Ukrainës me Shtetet e Bashkuara si dhe për bisedimet dypalëshe me Kievin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Do të doja t’ju tregoj për fazën në të cilën ne jemi me administratën e tanishme amerikane, e cila, siç dinë të gjithë, është duke bërë, sipas mendimit tim, përpjekje goxha energjike dhe të sinqerta për t’i ndalur luftimet, për t’i dhënë fund krizës dhe për të arritur marrëveshje në interesin e të gjitha palëve të përfshira në konflikt” – tha presidenti rus.
Ai shtoi se qëllimi i diskutimeve me Shtetet e Bashkuara është që të krijohen “kushte afatgjata të paqes mes vendeve tona, në Evropë, dhe në botë si tërësi, nëse arrijmë marrëveshje në fushën e kontrollit të armëve sulmuese strategjike në fazat e ardhshme”.
Putini pritet të mbajë një samit të premten në Alaskë me homologun amerikan, Donald Trump. Sipas Kremlinit, takimi do të fillojë në orën 21:30 sipas zonës kohore të Kosovës.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara prijnë bindshëm si dy shtetet me arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.
Shtylla e fundit që është ende në fuqi rreth kontrollit të armëve bërthamore mes dy vendeve është ai që njihet si traktatit START, i cili do të skadojë më 5 shkurt 2026.