Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka njoftuar se pika kufitare në Glloboqicë, mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është mbyllur përkohësisht.
Sipas njoftimit, rreth orës 15:40 autoritetet maqedonase kanë informuar palën kosovare se, për shkak të një zjarri të madh pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut që paraqet, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të RMV-së, është vendosur mbyllja e kufirit në këtë pikë.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe përdorimin e pikave të tjera kufitare deri në normalizimin e situatës.