Në qendër të Koçanit është mbajtur sërish marshi i familjarëve të cilët humbën familjarët e tyre në tragjedinë e ndodhur në diskotekën “Pulse”.
Ata kërkuan drejtësi për viktimat, duke shtuar se dhimbja e tyre është ende e freskët.
Prindërit akuzuan policinë se po përpiqej të sabotonte protestën e tyre, duke ndaluar qytetarë që kishin ardhur nga qytete të tjera për të marrë pjesë në protestë me makina, duke i ndaluar ata pa nevojë për rreth 20 minuta në hyrje të Koçanit dhe duke vënë në dyshim identitetin e tyre.
“Duhet të ketë drejtësi për ata engjëj. Policia ka ndaluar njerëz që janë organizuar të vijnë nga qytetet e tjera, ata I kanë ndaluar për 20 minuta duke kërkuar dokumentet e tyre personale. Në mes këtyre njerëzve nuk ka kriminelë, ka vetëm njerëz me zemër”, tha një prind.
Nga MPB thanë se asnjë qytetari nuk i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në protestën në Koçan.
“Ministria e Punëve të Brendshme i demanton dezinformatat e publikuara në disa portale dhe rrjete sociale, sipas të cilave policia dje (16.08.2025) gjoja nuk ka lejuar hyrjen e qytetarëve në Koçan, të cilët kanë dashur të marrin pjesë në protestën “Marshi i engjëjve”. Përkundrazi, asnjë qytetar nuk është penguar të hyjë në Koçan”, kanë deklaruar nga MPB.