Familjarët e Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, kanë denoncuar në komisariatin nr. 1 humbjen e kontakteve me të afërmin e tyre.
Rasti u konfirmua nga burime të Komisariatit nr. 1 në Tiranë nga ku bëhet me dije se denoncimi është bërë para disa orësh nga nëna e Shimës.
Përmes një njoftimi për mediat policia bëri me dije se, “më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Sh., e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç”.
Policia ka nisur verifikimet, duke sekuestruar edhe kamera sigurie pranë vendeve të sinjalizuara nga familja ku mund të ketë qenë orët e fundit.
Aktualisht në komisariat po merren deklarime dhe nga persona të afërt të Shimës.