Sami Kurteshi i LVV-së ngre alarmin në KQZ: Lista Serbe me trashëgimi terroriste dhe lidhje me struktura paralele

Sami Kurteshi i LVV-së ngre alarmin në KQZ: Lista Serbe me trashëgimi terroriste dhe lidhje me struktura paralele

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme, duke e akuzuar këtë subjekt për lidhje me struktura ilegale të Serbisë dhe përfshirje në aktivitete kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Ne kemi një parti politike që ka një trashëgimi terroriste dhe një të tashme të ngarkuar me veprime kriminale. Ka individë në këtë listë që janë nën ndjekje penale për sulme terroriste dhe veprime subversive ndaj shtetit të Kosovës”, deklaroi Kurteshi gjatë mbledhjes së KQZ-së.

Ai përmendi emra konkretë, duke theksuar rastin e Sasha Milosevicit, të cilin e akuzoi për veprimtari të dyfishtë.

“Sasha Milosevic ka kandiduar si pjesë e komunës paralele të Gjilanit dhe nënshkruan dokumente në cilësi ekzekutive. Ai është aktiv në strukturat paralele të Serbisë, të cilat funksionojnë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës dhe cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin e saj”, shtoi Kurteshi.

Sipas tij, dokumentet që ka mbledhur dëshmojnë se disa kandidatë të Listës Serbe jo vetëm që ushtrojnë detyra në emër të institucioneve ilegale, por janë të përfshirë edhe në veprime të dhunshme.

“Kamxhiku i Radoiçiqit për Anamoravën”, është siç u shpreh ai, një person që ka ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarëve, sepse ata kanë refuzuar të pranojnë një incident si sulm me motive etnike ndaj djalit të tij.

Kurteshi kërkoi nga KQZ-ja që të bëhet verifikim i thelluar i kandidatëve dhe të mos certifikohen individë apo parti që përbëjnë rrezik për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

Related Articles