Kryeziu: Kryetari de facto i Listës Serbe vazhdon të jetë Radoiçiqi

Kryeziu: Kryetari de facto i Listës Serbe vazhdon të jetë Radoiçiqi

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se qëndrimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe i Lëvizjes Vetëvendosje për Listën Serbe dihet tashmë dhe nuk është diçka e re. 

Kryeziu ka thënë se strukturat paralele e ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. 

Ai ka thënë se Lista Serbe nuk ka ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara, ndërsa ka shtuar se kryetari de facto i kësaj partie është Milan Radoiçiqi.

“Nuk është hera e parë që kjo çështje diskutohet me  zëvendësambasadoren amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. U diskutua edhe sot në këtë takim që është i rregullt dhe javor.  Qëndrimi i kryeministrit Kurti për Listën Serbe dihet. Qëndrimi i tij dhe i subjektit që ai drejton, pra Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk është qëndrim i ri. Me 23 dhjetor të vitit të kaluar, dy përfaqësuesit e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Prej atëherë, Lista Serbe nuk është bërë më e mirë, përkundrazi. Ka informacione, të dhëna, fakte dhe argumente të shumta që dëshmojnë qartë se Lista Serbe nuk është aspak parti e zakonshme apo normale. Kryetari i saj de fakto vazhdon të jetë Millan Radoiçiq, e për të dhe 44 paramilitarë të tjerë serbë, përveçse fakte të pamohueshme, tashmë ka aktakuzë për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.  “Strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. Serbët e Kosovës nuk duhet ta kenë dhe nuk mund ta kenë vetëm një parti politike. Ndërkohë që 12 subjekte politike tjera serbe, prej tyre 4 parti politike, 6 iniciativa qytetare dhe 2 kandidatë të pavarur serbë, tashmë janë certifikuar në KQZ për zgjedhjet lokale të tetorit. Është e padrejtë që ato të neglizhohen për hir të Listës Serbe, e cila nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të Beogradit zyrtar në Kosovë”.

Kryeziu ka thënë se prokuroria dhe gjyqësori duhet të veprojnë me informacionet dhe dëshmitë e bollshme që posedojnë nga organet e sigurisë dhe inteligjencës.

“Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” me 29 qershor 2023. Në atë kohë u patëm kritikuar ashpër por doli se kishim të drejtë. Kosova është shtet i pavarur dhe Republikë demokratike. Qeveria nuk ndalon partitë politike, as Listën Serbe. Por i takon KQZ-së të mos i certifikojë ato, dhe prokurorisë e gjyqësorit të veprojnë me informacionet dhe evidencën e bollshme që posedojnë nga organet tona të sigurisë dhe inteligjencës”, ka thënë Kryeziu. 

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar të enjten me kryeministrin në detyrë Kurti. Pas takimit ajo ka shprehur shqetësimin për planet për moscertifikimin e partive politike. Takimi kishte ndodhur para se KQZ-ja të mbante mbledhje të enjten e ku nuk u certifikua Lista Serbe.

Related Articles