Akuzat e Bashës për UÇK-në, reagon Lladrovci: Të inicohet shkarkimi i tij

Akuzat e Bashës për UÇK-në, reagon Lladrovci: Të inicohet shkarkimi i tij

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga deputetët që të iniciojnë shkarkimin e Dimal Bashës nga pozita e kryeparlamentarit, pasi një publikim i 2012 shpërfaq akuzat e tij se UÇK është një “organizatë kriminale e mbështetur nga trafikantë të drogës”.

“Dy dokumente që dekonspirojnë Dimal Bashën, të inicohet shkarkimi i tij!”, shkroi Lladrovci.

“Misioni atdhetar e human i themelimit të UÇK-së, pastërtia e organizimit, financimit dhe luftës së UÇK-së, nuk ka mundur as mund ta nxijnë as Serbia, as Rusia as Dimalat. Këto dy dokumente, mjaftojnë për të iniciuar shkarkimin e Kryekuvendarit”, u shpreh më tutje i pari i Drenasit.

Lladorvci tha se Kosova kishte dhe ka “kontribuues si Dimal Basha, por si këto dy faqe që dëshmojnë thellësinë e gënjeshtrës, seriozitetin e mashtrimit dhe antikombtarizmit, nuk mund të gjenden nga autorë shqiptarë”.

“Pres që deputetet dhe deputetët atdhetarë të merren urgjent me inicimin e shkarkimit të tij nga pozita e kryekuvendarit, për hir të qytetarëve, lirisë, gjakut të derdhur të dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Kosova as UÇK-ja nuk e meriton këtë turp. Dimal, ik!”, deklaroi në fund Lladrovci.

Related Articles