Kryekuvendari Dimal Basha, ka reaguar pasi doli në dritë një shkrim i tij me një bashkëautore, ku UÇK cilësohej si “organizatë kriminale e mbështetur nga kriminelë dhe trafikanë droge”.
Basha tha se autorësia e tij në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
Por çka thuhet aty?
Në këtë kapitull përmendet roli i lëvizjes salafiste në vend.
“Lëvizja Salafi që është aktualisht aktive në Kosovë, sipas shumë ekspertëve, ka qenë shtysa kryesore për zbatimin e Islamit fundamental në Kosovë. Duket se, si rezultat, sot ka konflikte të shpeshta në rajon midis klerikëve të moderuar myslimanë nga njëra anë dhe klerikëve të trajnuar Salafi që u vendosën në Kosovë pas vitit 1999, nga ana tjetër”.
Në tekst përmendet edhe emri i hoxhës Shefqet Krasniqi, i cili përshkruhet si shembull i produkteve të shkollimit fetar në vendet arabe.
“Shumë nga njerëzit përgjegjës për përhapjen e besimeve të tilla themelore fetare janë individë që janë arsimuar në shkolla fetare në shtete të ndryshme islame (Lang, 2003). Shefqet Krasniqi, për shembull, është një klerik islamik shqiptar i arsimuar në Arabinë Saudite dhe Egjipt. Ai është një shembull i këtyre produkteve saudite dhe ndikimi i tij është rritur vazhdimisht dhe shumë nga vërejtjet e tij krijuan përçarje dhe urrejtje midis komunitetit shqiptar”, thuhet në publikim.