SHSKUK është deklaruar lidhur me rastin e vajzës pesëvjeçare nga Brodi i Shtërpcës, e cila u sulmua dhe u kafshua nga një ujk.
Përmes një postimi në Facebook, SHSKUK ka bërë me dije se dje fëmija u pranua në Klinikën Emergjente të QKUK-së me lëndime në gjoks dhe shpinë.
Siç kanë deklaruar familjarët, ai u tërhoq zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë gjatë sulmit.
Pas trajtimit të parë dhe ekzaminimeve fillestare, fëmija po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja e tij është stabile.
“Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës. Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Njoftimi i plotë nga SHSKUK:
Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton se më datë 27.08.2025, në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, me lëndime në gjoks dhe shpinë.
Sipas familjarëve, fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë.
Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare.
Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile.
Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës.
Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë.