Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka kritikuar ashpër dinamikat aktuale në procesin e zgjedhjeve të autoriteteve të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se kjo situatë është një “fatkeqësi shtetërore”.
Kryeziu ka përgëzuar PDK-në për veprimin e saj të fundit në zhbllokimin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, duke e quajtur këtë një tregues të vetëdijes së lartë shtetërore, pavarësisht rrezikut të mundshëm për kosto elektorale.
Megjithatë, ai ka shprehur shqetësimin se çështja e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë po shërben vetëm për të forcimin e kauzës së Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke theksuar se kjo do të çojë në bllokadë të re dhe në një “rrugë pa dalje”.
“Përkundër rrezikut për kosto elektorale, duke e zhbllokuar zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, PDK ka treguar vetëdije të lartë shtetërore. Por, tani te çështja e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë, vetëm sa po i ndihmojnë politikisht kauzave të Albin Kurtit dhe të VETËVENDOSJEs”, ka shkruar ai.
Kryeziu ka akuza të ashpra edhe ndaj ekipit ligjor të PDK-së dhe LDK-së, duke pretenduar se ata po veprojnë sipas “direktivave të Enver Hasanit”, ish-president i Gjykatës Kushtetuese, dhe jo sipas logjikës juridike të shëndoshë. Ai e ka quajtur Hasanin një “recidivist të pandreqshëm” dhe një “agjent të kaosit juridik”, që, sipas Kryeziut, ka për qëllim të krijojë bllokada të vazhdueshme dhe të destabilizojë sistemin juridik të Kosovës.
“Dinamikat aktuale çojnë vetëm në bllokadë të re dhe rrugë pa dalje. Kjo sepse ekipi ligjor i PDKsë dhe LDKsë është duke vepruar në tërësi në bazë të direktivave të Enver Hasanit dhe jo në bazë të logjikës së shëndoshë juridike. Kjo gjë nuk i bën nder këtyre partive. Enver Hasani është një recidivist i pandreqshëm, një agjent i kaosit juridik që projekton vetëm bllokada dhe kriza, një puçist që ëndërron të bëhet diktator në një republikë distopike gjyqësore, një kuadër jugosllav që e urren popullin e vet, një snob pa esencë e përmbajtje që e sheh vetën si “Baba” dhe gjithë të tjerët si lopë e gomarë, një njeri i ligë e destruktiv i cili thjesht nuk di kur është mjaft”, përfundon shkrimi i tij.