“Stagnim institucional” – AAK nesër me mbledhje urgjente të Kryesisë

“Stagnim institucional” – AAK nesër me mbledhje urgjente të Kryesisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nesër do të mbajë mbledhjen e Kryesisë së saj, ku pritet të marrin pjesë edhe kryetarët e degëve të partisë.

Burime brenda AAK-së bëjnë të ditur se në rendin e ditës do të jenë zgjedhjet komunale dhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Takimi është paraparë të nisë në orën 17:00 dhe vjen në një kohë kur opozita ka ngritur shqetësime për, siç e quan, stagnimin institucional në Kosovë.

Ndryshe, me 30 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha e shpalli të “përmbyllur” seancën konstituive të së shtunës, megjithëse nuk u zgjodh nënkryetari nga komuniteti serb.

Ky veprim u cilësua nga Lëvizja Vetëvendosje si hap drejt funksionalizimit të institucioneve, por u kundërshtua nga partitë e tjera dhe ekspertët ligjorë, të cilët paralajmërojnë se vendi mund të përballet me një krizë të re kushtetuese.

Lista Serbe në kërkesën që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, ka kërkuar që votimi për nënkryetarët nga partitë e komuniteteve joshumicë të kthehet në pikën zero, të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, apo thënë ndryshe në “pako”, dhe të vendoset masë e përkohshme, në mënyrë që mos të hapet rrugë për rrjedhjen e afateve për formimin e Qeverisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ekipi i saj ligjor është duke zhvilluar një analizë mbi procesin e konstituimit të Kuvendit.

Related Articles