Sapo kishte regjistruar vajzën në shkollë, babai i tre fëmijëve u përplas për vdekje në vijat e bardha në qytetin e Fierit, nga një 17-vjeçar me “Range Rover” i cili lëvizte me shpejtësi mbi 100 km/h, jashtë rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja ndodhi më 24 gusht, në vendin e quajtur shkolla e muzikës “Jakov Xoxa”, në Fier. Kreshnik Tomani ishte duke kaluar në vijat e bardha në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Personi që shkaktoi aksidentin ishte një i mitur me iniciale O.B. i cili i kishte marrë makinën vëllait.
Për shkak të dëmtimeve të rënda, pas 8 ditësh në koma, 35-vjeçari humbi jetën në spitalin e Traumës.
Kreshnik Tomani ishte shpërngulur nga fshati në qytet për t’i bërë realitet ëndrrën vajzës së tij, talent në muzikë. Nikita, vetëm 10 vjeçe ka vjedhur zemrat e mijëra shpiqtarëve me zërin e saj brilant teksa këndon këngët labe.
Autori, i arrestuar disa orë pas ngjarjes, do të përballet me drejtësinë për akuzat “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, ndërsa ishte në timon pa patentë.
Ekspertët ngrenë alarmin dhe kërkojnë ashpërsim të ligjit për prindërit apo personat të cilat iu lënë makinat për përdorim individëve që nuk janë të pajisur me leje drejtimi.
“Nuk duhet ti drejtojnë personat që nuk kanë leje drejtimi. Kodi jonë rrugor thotë që duhet të kesh moshën 18-vjeç që të drejtosh mjetin. Në këtë rast themi që policia nuk ka qenë, aty ka qenë. Shkakun nuk e di pse ky mjet qarkullon dhe policia nuk e ndalon. Prindërit duhet t’i disiplinojnë fëmijët dhe t’i kenë nën kontroll sepse disa herë fëmijët nuk i pyesin prindërit, ua marrin çelsat dhe fshehurazi. Duhet të bëhen disa herë ndryshime në Kodin Rrugor sepse po vriten njerëz. Ata që pijnë pije alkoolike duhet të mos drejtojnë farë automjet, ata që janë në gjendje të dehur duhet të përfundojnë në burg. Duhen masa shtrënguese ndaj këtyre fenomeneve”, tha Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore.
Tashmë Nikita, do duhet të bëjë realitet ëndrrën e prerë në mes të babit, që një ditë e bija të bëhet këngëtare e madhe./Euronews.al/