Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 19:30 në fshatin Llapashticë të Podujevës, ku një burrë ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Sipas saj, njësitë policore, menjëherë pas marrjes së informacionit për të shtëna në këtë zonë, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 19:30 jemi informuar për të shtëna me armë në fshatin Llapashticë të Podujevës. Me të arritur në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë hasur në një burrë pa shenja jete. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor,” ka deklaruar Ahmeti.
Sipas burimeve të Insajderit, i dyshuari për këtë vrasje është Arbër Havolli. Mësohet se viktima është qëlluar me disa plumba brenda një veture të tipit Opel, në të cilën ndodhej bashkë me autorin në momentin e ngjarjes.