Franca është përfshirë nga protesta masive të shoqëruara me dhunë në Paris dhe disa qytete të tjera të vendit. Gjatë përleshjeve me policinë u arrestuan rreth 200 persona.
Protestuesit bllokuan rrugë, dogjën automjete dhe vendosën barrikada, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Ministri i Brendshëm bëri të ditur se rreth 80,000 forca policore u angazhuan në terren për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Në qytetin perëndimor të Rennes u dogj një autobus, ndërsa dëmtimi i një linje elektrike në jugperëndim solli ndërprerjen e qarkullimit të trenave. Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau akuzoi protestuesit për përpjekje për të krijuar një “klimë kryengritjeje”.
Lëvizja e njohur si “Bllokoni Gjithçka” kishte bërë thirrje për një ditë bllokadash, grevash dhe protestash në të gjithë vendin, duke u shndërruar në një test për qeverinë e re. Demonstratat shpërthyen pas emërimit të kryeministrit të ri, Sébastien Lecornu, vendim i Presidentit Emmanuel Macron që u cilësua nga shumë protestues si “një shuplakë në fytyrë”. Sébastien Lecornu u emërua një ditë pas rrëzimit të kryeministrit François Bayrou, i cili humbi votëbesimin në parlament.
“Jemi të lodhur nga qeveritë e tij të njëpasnjëshme, na duhet ndryshim”, tha një protestues në Lyon, ku u bllokua autostrada dhe u dogjën kazanë mbeturinash.
Në Nantes, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, ndërsa në periferi të Parisit, grupe demonstruesish të maskuar ngritën barrikada dhe qëlluan policinë me objekte të ndryshme.