Forcat e NATO-s në Kosovë – KFOR – zhvilluan të martën një trajnim të specializuar për kontrollin e turmave, menaxhimin e kryengritjeve dhe reagimin ndaj rreziqeve nga zjarri në Kampin Novo Selo.
Sipas komunikatës së KFOR-it, trajnimet përfshinë përdorimin e flakëve të hapura dhe pajisjeve djegëse për të krijuar kushte stresi të lartë, që i ndihmojnë efektivët të zhvillojnë reagime të shpejta dhe efektive.
“Trajnimi me flakë të hapura dhe nxehtësi intensive nga pajisjet djegëse forcon gatishmërinë operative dhe reziliencën. Simulimet e tilla në kushte stresi të lartë nxisin reagime efektive nën presion, duke përmirësuar përgatitjen fizike dhe mendore për të përballuar sfidat e misionit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatet e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në rajon.