AGK i reagon Presidentes Osmani: Shantazh i hapur publik, të papranueshme dhe të rrezikshme

AGK i reagon Presidentes Osmani: Shantazh i hapur publik, të papranueshme dhe të rrezikshme

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar Presidentes Vjosa Osmani, e cila akuzoi gazetarët se po përndjekin dhe po rrezikojnë jetën e vajzave të saj të mitura, duke e cilësuar këtë si sulm të papranueshëm kundër gazetarëve dhe mediave.

Në reagimin e AGK-së thuhet se vajzat e Presidentes Osmani janë persona publikë dhe se raportimi për shkollimin e tyre, qoftë në shkollë publike apo private, është në interes të publikut dhe jo përndjekje.

“Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në reagim.

AGK ka shprehur shqetësim sidomos me paragrafin në reagim ku Osmani akuzon se disa gazetarë merren me veprimtari të kundërligjshme, duke iu referuar informacioneve nga institucionet e sigurisë.

Sipas AGK-së, ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë.

“Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës”, thuhet në reagim.

AGK i ka bërë thirrje Osmanit që të heq dorë nga sulmet ndaj mediave.

“Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës. AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka”, thuhet në reagim.

Related Articles