Ish-ambasadori Albert Prenkaj ka thënë se shkuar e Besnik Bislimit në Bruksel si zëvëndëskryeministër në detyrë është jo legjitime.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ai ka pohuar se Bislimi në pozitën që gjendet nuk mund të marrë asnjë vendim për vendin dhe qytetarët sa i përket takimit në kuadër të procesit të dialogut që u zhvilluar sot në kryeqytetin e Belgjikës.
“Përfaqësuesit e Kosovës, tash në këtë moment, nuk mund të marrin përgjegjësi kur nuk ka Qeveri të Kosovës apo ka Qeveri në detyrë, nuk mund të marrin përgjegjësi apo vendimmarrje. Zëvendëskryeministri në detyrë apo çfarëdo ministri në detyrë mund të kryejnë detyrat e vendimeve që janë marrë nga Qeveria paraprake”.
“Pra, në këtë rast kur Bislimi shkon në Bruksel ai nuk mund të marrë asnjë vendim, i cili mund të bëhet obligim për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, cilado që vjen. Pra, Zotëri Bislimi atje ka shkuar si zëvendëskryeministër në detyrë, por pa asnjë përgjegjësi dhe legjitimitet për të marrë ndonjë vendim. Kushdo që të shkonte nga pala kosovare nuk do të mund të merrte ndonjë vendim, takimi ka qenë I pa dobishëm edhe pse palët qëllimisht apo jo nuk u dakorduan për asnjë pikë të përbashkët, mua më habit përfaqësues i BE-së që e fton përfaqësuesin e Kosovës dhe pret nga ky takim ndonjë rezultat”, ka thënë Prenkaj.
I njëjti ka thënë se pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë me kompetenca të kufizuara në Qeverinë e vendit i bëjnë për shou veprimet si ky i Bislimit, sipas Prenkajt, për të thënë se vendi ka një Qeveri.
“Ky grup njerëzish që vet quhen qeveri në detyrë janë rreth 16 apo 17 deptuetë të cetifikuar nga KQZ-ja për të cilët ende nuk e kanë legjitimietin as të anëtarëve të Kuvendit me që nuk kemi Kuvend të konstituuar, por që të njëjtit mbajnë edhe pozita të ministrave në detyrë, këta e quajnë veten Qeveri dhe këta thonë se Kosova ka qeveri, dhe tërë ky shou që bëhet sot edhe nga Bislimi, ka një qëllim që të bëjë shou për qytetarët e Kosovës kinse Kosova ka një qeveri, është një lojë dhe është lojë paraelektorale”, ka deklaruar Prenkaj.