Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është krenare përherë me fitoren e Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike në Tokio.
Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se sot nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.
“Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme. Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës”.
“Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo”, ka shkruar Osmani.