Ish-Ndihmëssekretari i Shtetit në administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, sot u ka dhënë një shpresë të madhe popullit të Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, me dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara.
Rubin, i cili ishte ndihmës i Sekretares së Shtetit, Madeline Albright, sot u ulë në cilësinë e dëshmitarit, ku tregoi për kontaktet e tij me ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se asnjëherë nuk ka vërejtur krime nga ana e tyre, që do të shërbenin për dënim të tyre.
Më poshtë, Gazeta Enigma ua sjell deklaratat më të rëndësishme nga Rubin:
“Thaçi s’mund të diktonte rregulla dhe kushte brenda UÇK-së”
Rubin tha se Hashim Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve.
“Ne e bindëm delegacionin shqiptar të Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtojeni popullin”, tha Rubin.
Ai shtoi se kur shumica vendosi të përqafonte mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit, grupet ekstremiste humbën ndikimin e tyre.
Rubin po ashtu tha se gjatë Konferencës së Rambujesë, Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
“Albrighti donte që unë ta njihja, ta bëja shok e mik diplomatik”
Nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, Rubin u pyet se si erdhi ta njohë Hashim Thaçin në rend të parë dhe si është zhvilluar marrëdhënie mes tyre.
Rubin tha se nuk kishin njohuri për UÇK-në, por se në Rambuje atij iu kërkua nga vetë Madeleine Albright që ai të bëhej “i afërm” me Hashim Thaçin.
“Më kujtohet takimi i parë, i regjistruar ky në kabllogram. Më kujtohet që ai më njohu menjëherë, sepse unë isha zëdhënës i DASH, dhe dilja në televizor. Dhe zonja Albright e vërejti që ai më njohu, ajo ishte e zonja në marrëdhëniet njerëzore, dhe më tha bisedo dhe njihu me të. Sepse unë s’e njihja, e ne donim të dinim pak më shumë kush ishte udhëheqës i delegacionit, që ne donim të ishin në marrëveshje të paqes. Njihu me të, më tha, dhe kështu bëra” tha ai.
“Për ato 2 javë qëndrova me të, hamë bashkë, e pinim ndonjë cigare, ecnim bashkë, dhe unë përpiqesha ta njihja. Albright mendonte se ishte e dobishme, dhe unë i njihja përpjekjet e saj më mirë se dikush tjetër, dhe ajo donte që unë ta njihja atë, që të bëhesha koleg, mik e shok diplomatik. Dhe për këtë kalova aq shumë kohë me të”.
“Thaçi tha se nëse se përmend pavarësinë, do ta quanin ‘tradhëtar’”
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.
“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.
“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai.
“Ata që kërkonin Pavarësinë e Kosovës, donin gjithçka, ne mundoheshi ta gjenim mesin e artë”
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë ai theksoi se arritja e marrëveshjes së paqes në Kosovë, ishte shumë e vështirë.
Ai u shpreh se donin të kishin botën në anën e tyre, që të bindnin Serbinë për të arritur paqen.
“Të kishim gjithë botën në anën tonë, që ta mbushnim mendjen serbe që të arrihet marrëveshja e paqes”, u shpreh ai.
Tutje ai shtoi se “Personat që kërkonin Pavarësinë e Kosovës, ishin maksimalist, donin gjithçka, ne mundoheshim të gjenim një të mesme të artë”, tha ai.
Ndër të tjera, James Rubin u shpreh se amerikanët u përpoqën të nxirrnin një mes të mirë për të gjithë.
Sipas tij kishte persona që donin gjithçka, si dhe njerëz “më praktik”, siç sipas tij ishte Thaçi.
“Thaçi donte të sigurohej se Amerika do qëndronte në krah të Kosovës”
Në dëshminë e tij para avokatit Luka Mishetiq, ai tha se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të.
Rubin theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.
Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.
“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, deklaroi ndër të tjera James Rubin.
“UÇK mori në dorë fatin e njerëzve të tyre, për të mos lejuar masakrimin nga Serbia”
Gjatë dëshmisë, Rubin tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “mori në dorë fatin e njerëzve të tyre, për të mos lejuar masakrimin e tyre nga shteti serb”
“Pastaj edhe Serbia u kundërpërgjigj ashtu siç e di historia”, tha Rubin.
“Donim të ishim në anën e të mirëve, ishin viktima- s’do ishin të tillë nëse do kryenin krime lufte”
Dëshmitari James Rubin duke folur për marrëdheniet e CIA-s amerikane me anëtarët e UÇK-së, tha se ata kanë dashur që të jenë në anën e ‘engjëjve’ apo njerëzve të mirë, pasi këta persona ishin persona pa pushet dhe viktima.
Dëshmitari kishte thënë se e ka kuptuar se më 1998-ën CIA kishte kontakte me Ramush Haradinajn.
“Unë nuk e mësova për CIA-n me Haradinajn. Këtë e kam mësuar më ’99-ën, por në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur edhe më ’98-ën. Mësova më ’99-ën kur shkova në Kosovë dhe takova shefin e CIA-s dhe gjithë punonjësit e CIA-s, atëherë mësova për marrëdhenien e tyre me Haradinajn dhe e di që kishin vite që kishin kontakt me njëri-tjetrin.Unë duhet ta them këtu që officeret e CIA-s që e njihnin Administraten Cliton se ka pasur dy aspekte të rëndësishme për ne; Islamizmi dhe krimet e luftës. Këto kanë qenë prioritetet e administratës Clinton”, tha ai.
Pastaj, nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari u pyet se a është e vertetë që nuk mund të ishin partnerë me asnjë organizatë që nëse ajo organizatë ishte përfshirë në aktivitete terroriste ose krime lufte.
“Pas Bosnjës, ku e menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante dhe jokaotike. Pamë situatë të re në Kosovë dhe ne donim të sigurohemi që të jemi në anën e engjëjve, në anën e të mirëve. Nuk donm që ata të ishin viktima. Nuk do të ishin viktima në rast që ata do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste-islamiste. Donim të ishim në anën e viktimave dhe nëse dilte diçka ndryshe kjo do të ishte kundër çdo gjëje që ne besonim”, tha ai.
Ai tha se nuk do të dëshironin që të harxhonin miliona dollarë me persona që nuk shprehnin tolerancë të paktën publikisht.
“Këta ishin persona pa pushtet, ishin viktima. Ne takoheshim me ata ndërkohë që ata ishin viktima të një shtypësi dhe në anën e kundër të një pushteti në Kosovë”, tha Rubin, duke thënë se përpiqeshin që as këta mos t’i ndiqnin veprimet e shtypësit.
James Rubin tha se nuk i kujtohet që Albright i kishte thënë Thaçit që do të mbante përgjegjësi penale për krimet që do kryheshin në Kosovë pas ndërhyrjes së KFOR-it.
“S’kemi gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së donin të ekzekutonin njerëz”
“Kishim persona të moderuar si Thaçi e Krasniqi që ishin të gatshëm të nëshkruanin Marrëveshjen e Rambujesë. Mirë që nuk i dëgjuan fjalët e ekstremistëve”, u shpreh tutje ish-diplomati.
Ndër të tjera, Rubin tha se nuk kanë gjetur asnjë provë se katërshja e UÇK-së, e as drejtues të tjerë të ushtrisë, donin të ekzekutonin apo të vrisnin njerëz .
“Akuzat ndaj UÇK-së u fabrikuan nga rusët e u sponzorizuan nga serbët”
Ai tha se ka arritur në një përfundim që të gjitha akuzat për vrasje dhe pretendimeve të tilla, ishin të fabrikuara nga rusët.
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë dhe asnjë provë që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime dhe vrasje, as me Thaçin, as me Krasniqin. Rreth 25 vjet pasi jam larguar, kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin pasur informacione lidhur me këtë pretendim, dhe jo vetëm në vitin 2000 por edhe dekada më vonë që miqtë e mi kishin mundësi të më jepnin informacione, asnjëherë nuk më kanë dhënë të dhëna të tilla”, tha Rubin para trupit gjykues.
“Duke ndjekur çështjen në vitet 1990 dhe 2000, kam mbërritur në përfundim që të gjitha akuzat të kriminalitetit, vrasjeve apo ekzekutimeve, apo edhe akuzave dhe pretendimeve të tilla, ishin të fabrikuara dhe të lidhura me fushata dezinformimi të organizuara nga rusët, ose të organizatave të sponsorizuara nga serbët, ky është përfundimi që kam nxjerr unë pas 20 e ca vitesh në këtë fushë”, deklaroi ish-zyrtari i lartë amerikan.
“Në 1999 mësova për marrëdhëniet e CIA-s me Ramush Haradinajn, ishin në kontakt prej vitesh”
Ka folur sot edhe për marrëdhëniet e CIA-s amerikane me anëtarët e UÇK-së.
Ai u shpreh se e ka kuptuar se më 1999, CIA kishte kontakte me Ramush Haradinajn.
“Unë nuk e mësova për CIA-n me Ramush Haradinajn. Këtë e kam mësuar në vitin 1999-ën, por në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur edhe në vitin 1998. Takova shefin e CIA-s dhe gjithë punonjësit e CIA-s dhe mësova për marrëdhënien e tyre me Haradinajn dhe e di që kishin vite që kishin kontakt me njëri-tjetrin.”
“Unë besoj se atyre u është thënë të mos angazhoheshin në veprimtari terroriste, të mos kryenin krime lufte, dhe sigurisht, të mos e promovonin fundamentalizmin islamik. Kjo ka qenë politika jonë kryesore asaj kohe”, tha Rubin.
“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur ta fajësoj UÇK-në për krimet e tyre”
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.
Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet, duke i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte.
Po ashtu, Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvecionale, por po vepronin si kriminelë për t’i fshehur krimet.
“Është karakteristikë që kemi parë në Bosnje dhe përsëri në Kosovë… ata gjithmonë janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në. Pra, Qeveria Serbe. Kjo është mënyra që ata e justifikonin atë që po bënin duke hedhur fajin tek të tjerët”, tha ai.
Tregoi kur Krasniqi i kishte kërkuar Amerikës dërgimin e trupave tokësore
James Rubin tregoi momentin kur Jakup Krasniqi, i kishte kërkuar Amerikës dërgimin e trupave tokësorë.
Rubin tha se ky ishte një moment shumë i dhimbshëm gjatë luftës, pasi në atë kohë, Amerika nuk ishte e përgatitur për dërgimin e trupave tokësorë.
“Mund të ketë qenë aty (Jakup Krasniqi, takimi në Bruksel gjatë vitit 1999), më kujtohet takimi me të, sepse ishte moment i dhimbshëm gjatë luftës. Krasniqi na kërkonte gjëra për të cilat ne nuk ishim të përgatitur, përshembull dërgimin e trupave tokësore, ne sqaruam që ishim gati të bënim, por edhe gjëra që nuk mund të bënim, pra ishte një moment i ndjeshëm. E kuptuam që ai po na transmetonte formalisht kërkesat e udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës, neve Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Kishim të njëjtin shqetësim, për të shpëtuar njerëzit, ishte kjo mënyra e vetme që ta mposhtnim Millosheviqin dhe kjo ndodhi disa javë më vonë, por gjatë atyre javëve ai ishte i shqetësuar për popullin e tij. Kuptuam që njerëzit po iknin në masë të madhe në gjithë botën dhe ne donim t’i ndihmonim ata, por nuk ishim të gatshëm të dërgonim trupa në terren”.
“Ky moment i ndjeshëm, pra ishte si të mposhtej Millosheviqi, kishte njerëz në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë UÇK-ja që donin ndërhyrjen nga ajri dhe toka që ishte e ndjeshme, pasi nuk ishim të gatshëm. Shqetësimi i popullit të Kosovës, theksuam se nëse Amerika dërgonte trupa, lufta do të ndalonte më shpejt, dhe njerëzit do të dëmtoheshin më pak, por nuk mund t’i përgjigjeshim kësaj kërkese asokohe”, u shpreh Rubin.
“Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së”
Ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin tha se diplomati Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së. Tha se vazhdimisht po tentonte që ta dëmtonte figurën e tij dhe figurën e sekretares Madeleine Albright.
“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm dhe ishte në favor të LDK-së, kundër UÇK-së. Unë isha i paanshëm. Mua më është kërkuar më udhëheqësin e vetëshpallur të delegacioni. Chris Hill në mënyrë shumë të pamatur ka qenë i anshëm. Është përpjekur të më dëmtoj figurën mua dhe dëmtojë sekretaren Albright duke u thënë se ajo kishte influencuar drejtuesin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne e kishim vetëm një objektiv që deshëm ta arrinim atje”, tha ai.
Rubin tha se Christopher Hill ishte personi që i dëmtoi bisedimet atje dhe ishte shkaku që nuk e morën “po” nga UÇK-ja për marrëveshje.
Kjo deklaratë e James Rubinit erdhi pasi prokurori James Pace ia lexoi një deklaratë të Hillit, ku ky i fundit kishte thënë se Rubin e udhëzonte Thaçin edhe çfarë kostumi dhe kravate të veshte.
Këto pretendime, ai i quajti “mite” dhe jo të vërteta që kanë dalë nga Hill.
Pas disa orëve dëshmi, Rubin sërish do vazhdojë nesër dëshminë e tij, me fillim nga ora 09:00. Ai po dëshmon me autorizim të Qeverisë Amerikane. /GAZETA ENGIMA