Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka deklaruar dje banorët e këtij qyteti po ballafaqohen me probleme të mëdha.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ai ka thënë se loja me investime jokorrekte është blerje e votës.
“Në Komunën e Gjilanit, momentalisht nuk funksionon asgjë. Të gjitha projektet që janë bërë, sidomos kohët e fundit, loja investime jokorrekte dhe jo të mira, është blerje e votës. Pra duhet të skenohet gjendja në Komunën e Gjilanit, sepse janë prishur edhe raportet kolegiale në administratë, në shëndetësi dhe në arsim si pasojë e keqqeverisjes”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, Gjilani po vazhdon me të keqqeverisët nga pushteti aktual që drejtohet nga Vetëvendosje.
“Kemi shumë projekte për të cilat këta flasin, e nuk janë bërë. Janë bërë keq. Rast konkret është rruga ‘Adem Jashari’, është nis keq, është deviju projekti dhe sot ka probleme jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai.
Ismajli ka mohuar pretendimet e kryetarit aktual Alban Hyseni, se opozita ka bllokuar buxhetin e Gjilanit.
E ka akuzuar edhe se projektet e lëna nga kryetari i kaluar, nuk janë shtyrë përpara nga qeverisja aktuale.
“Kjo qeverisje ka punuar pa planifikim. Asnjë projekt i lënë në vitin 2021 në vlerë 114 milionë euro, kjo qeverisje dhe ky kryetar nuk e ka shtyrë përpara”, ka thënë Ismajli.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.