“Bukoshi hezitonte të ndante para për UÇK-në pasi mjetet e diasporës ishin për arsim e shëndetësi”

“Bukoshi hezitonte të ndante para për UÇK-në pasi mjetet e diasporës ishin për arsim e shëndetësi”

Pas dëshmisë mbrojtëse të ish-Ndihmës Sekretarit të Shtetit, James Rubin në Gjykatën Speciale, nga e mërkura po merret në pyetje juristi Paul Williams, i cili kishte punuar pa pagesë për delegacionin e Kosovës në Rambuje.

Në ditën e tij të dytë si dëshmitar mbrojtës, Williams tha se kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi, hezitonte të ndante mjete monetare për UÇK-në, që i kishin mbledhur nga diaspora, pasi thoshte se ato janë të kushtëzuara.

“Bujar Bukoshi ishte hezitues, hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në. Burimet që ishin mbledhur në diasporë, ishin të kushtëzuara, ishin mbledhur që të financonin sistemin arsimor paralel në Kosovë dhe kujdesin shëndetësor paralel”.

Williams thotë t’i ketë thënë Bukoshi se “I kemi mbledhur këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin, dhe këtu duam t’i shpenzojmë”.

“Dhe besoj se i përdornin për disa refugjatë, por mos ma merrni përfundimtare këtë. Së dyti, nëse donin para për armë, ka forma të tjera për këtë. Dhe përfundimisht e gjetën një zgjidhje për këtë”.

“Unë do ju thosha se ai hezitonte për shkak të natyrës konkurruese politike, dhe sikur ua thash, fonde të kushtëzuara, mos e merrni kaq të mirëfilltë, sepse ishin fonde që ishin caktuar për diçka tjetër”, deklaroi juristi amerikan.

Williams u pyet në lidhje me një shkrim në emër të Hashim Thaçit, që u tha se është bërë më 28 janar të vitit 1999 në “gazetën Zëri i Kosovës”.

Aty, Thaçi ishte prezantuar si “Udhëheqës i Drejtësisë Politike pranë SHP të UÇK-së”.

Juristi Williams tha se nuk e kishte ditur.

Ai tha se e di për këtë gazetë, por shtoi se nuk e di nëse ajo ka mbajtur qëndrim pro-UÇK.

Në atë shkrim, mes tjerash thuhet: “Deklaratat e fundit të ‘qeverisë’ Bukoshi janë tepër acaruese, të anshme dhe ofenduese, duke mbajtur parasysh çka ka ndodhur në Kosovë dhe më gjerë, dhe janë të pavërteta, janë të mbushura me shantazhe, madje edhe me kërcënime”.

William u pyet nëse e di se për çfarë deklaratash bëhej fjalë, por ai tha se nuk i kujtohet.

“Mbase këto pasqyrojnë sjelljen e Bukoshit ndaj kërkesave të UÇK-së që nuk ia merrte parasysh. Nuk e di konkretisht, por nuk më befason të jetë shprehur në atë formë”, thotë Williams.

Në shkrim thuhet po ashtu se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk ka njohuri për mjetet e mbledhura në emër të luftës se në ç’drejtime janë dedikuar. “SHP i UÇK-së fton bashkatdhetarët që të mos bien në grackat e konstruktura nga ‘institucionalistët’”.

“Si e kuptoni ju termin ‘institucionalistë’, ose sipas jush, për kë bëhet fjalë?”, pyetet Williamsin.

“Kjo nuk është një fjalë që e kam dëgjuar sa punoja me shqiptarët e Kosovës. Ata thoshin LDK-ja, përmendnin LDK-në apo të tjerë. Kështu që nuk mund të hamendësoj”.

“Ekzistonin pjesërisht institucione në Kosovë. Presidenti Rugova qëndronte në Kosovë, Bukoshi në Gjermani. Edita Tahiri, ish-ministre e Jashtme qëndronte po ashtu në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë, e Arsimit, funksionin po ashtu në Kosovë. Por ka pasur një komunikim të ngushtë me diasporën. Kishte qeveri paralele, disa ishin në Kosovë, disa jo”, shtoi ai.

Ai u pyet edhe për “Fondin Vendlindja Thërret”, për të cilin tha se nuk e ka njohur atë.

“E di që ngriheshin fonde për UÇK-në, por emrin e organizatës nuk e di”, u shpreh Williams.

Në shkrim, thuhet: “Bukoshi duhet të qartësojë para popullit dhe bashkatdhetarëve të nderuar që nuk kursejnë dhe nuk po kursejnë as kafshatën e gojës të ndajnë për UÇK. Ku janë ato mjete dhe për çka shfrytëzohen. SHP i UÇK-së ka të dhëna të sigurta që janë keqpërdorur rreth 100 milionë marka gjermane nga ju dhe suita që ju rrethon. (60 milionë në fund pranuat se janë shpenzuar, 10 milionë dollarë vetëm në emër të një kontrate të dështuar, ‘vetëm në shërbim të popullit’”).

“Këto para janë përdorur nga ju për të financuar të gjithë Ministrinë e Brendshme. Ju keni financuar në vrasjet dhe tentimvrasjet e komandantëve të UÇK-së. Dosja juaj flet për planet tuaja për likuidimin e SHP të UÇK-së dhe disa personaliteteve eminente të skenës kosovare”, thuhet të jetë shkruar në atë shkrim.

Williams u pyet nëse ka diçka të vërtetë nga këto pretendime.

“Jo në dijeninë time. Nuk mund të them a ka të vërteta në këto akuza, në këto pretendime”, u shpreh ai.

“Këto janë komunikime që i kam dëgjuar nga diaspora shqiptaro-amerikane, por jo domosdoshmërish të vërteta. Për kontekst: kemi situatë të tensionuar, të gjithë mendojnë që Bukoshi ka shumë para në dispozicion, këto para duhet të përdoren për këtë e për këtë gjë. Sigurisht që ka tensione mes aktorëve joshtetërorë të armatosur dhe revolucionit. Besoj që ua bëra të qartë”.

Ai tha se nuk beson që mjetet e diasporës nuk janë shfrytëzuar si duhet.

Deklarata në atë shkrim “mund të jetë bërë edhe për të dëmtuar imazhin e tyre”, tha ai.

“Deklarata e dytë, se ka financuar vrasje dhe tentimvrasje, më duket më shumë si komunikim i pabazuar për shkak të personalitetit të Bujar Bukoshit. Ky është mendim dhe perceptimi im”, deklaroi juristi Williams në Gjykatën e Hagës. 

Related Articles