Estonia ka kërkuar zyrtarisht një konsultim sipas Nenit 4 të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore nga avionët rusë më herët gjatë ditës, deklaroi kryeministri i vendit, Kristen Michal.
Në një postim në X, ai konfirmoi se tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe janë përballur me avionë të NATO-s, përpara se të “detyroheshin të largoheshin”. “Një shkelje e tillë është krejtësisht e papranueshme”, tha Michal.
Çfarë është një konsultim sipas Nenit 4 të NATO-s?
Ky mekanizëm i lejon çdo vendi anëtar të paraqesë zyrtarisht një çështje për shqyrtim nga organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut, për të diskutuar hapat e mëtejshëm me aleatët.
Konsultimet zhvillohen kur “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria” e ndonjë prej vendeve anëtare është e kërcënuar.
Ky nen nuk duhet ngatërruar me Nenin 5, gur-themelin e aleancës, i cili përcakton se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet si akt dhune ndaj të gjithë anëtarëve dhe kërkon ndihmë për vendin e prekur.
Diskutimet e nisura nga Neni 4 mund të “çojnë potencialisht në një vendim ose veprim të përbashkët”, sipas NATO-s, por rezultatet varen nga konsensusi mes vendeve anëtare.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka deklaruar se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin.