Në kryeqytetin e Serbisë, sot po mbahet parada ushtarake nën sloganin “Fuqia e Unitetit”.
Parada po mbahet në një kohë kur qytete të shumta të Serbisë janë pushtuar nga protestat e studentëve.
Një ditë para kësaj parade, tanket dhe ushtarët dolën në rrugë, ndërsa një pjesë e lagjes Beogradi i Ri raportohet të jetë mbyllur për qarkullim që nga 9 shtatori.
Policia ndërkaq raportohet të ketë vendosur kordon për të mos i lejuar pjesëmarrësit e tubimit studentor të afrohen në hyrje të paradës ushtarake.
Radio Evropa e Lirë raporton se përveç anëtarëve të policisë së trazirave, ka edhe anëtarë të Xhandarmërisë me pajisje të plota për të shpërndarë demonstratat.
Megjithatë, policia është pozicionuar në disa unaza, kështu që pjesëmarrësit e tubimit studentor po përpiqen të gjejnë një rrugë për në paradë.
Pjesëmarrësit në tubimin studentor me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thonë se do të përpiqen të hyjnë individualisht në zonën ku po zhvillohet parada.
Ata janë të indinjuar nga sjellja e policisë së trazirave dhe e Xhandarmërisë, të cilët ua bllokuan kalimin.
Ata theksojnë se “ushtria nuk është e Vuçiqit, por e popullit”, se “askush nuk mund t’i ndalojë ata të kalojnë” dhe pyesin pse njerëzit që vijnë në mënyrë të organizuar dhe që pretendojnë se janë mbështetës të qeverisë, lejohen të hyjnë në paradë si spektatorë.