Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.
Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në harmoni me detyrimet ligjore, Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga Partitë Politike dhe subjektet e përfshira në procesin e fushatës elektorale, kjo agjenci kërkon zbatimin e detyrimeve ligjore dhe të ndërmarrjen e veprimeve si në vijim:
“Të sigurojnë çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj. Të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik”.
“Të mos ekspozohen të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail, mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak).Të respektohen të drejtat e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit”.
“Të shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme”.
“Të sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme”, thuhet në një njoftim të kësaj agjencie.