Mjekët në spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës thonë se janë të mbingarkuar me të plagosur nga sulmet izraelite dhe po kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në kushte të tmerrshme, shpesh pa anestezi dhe me mungesë të theksuar të barnave e pajisjeve.
“Është thjesht një masakër, pacientët kanë organet jashtë, trurin jashtë, dhe asnjë ilaç kundër dhimbjes,” tha një mjeke për BBC
Në një rast, mjekët realizuan lindje me prerje cezariane nga trupi i një gruaje shtatzënë që kishte humbur jetën pas një shpërthimi. Foshnja u shpëtua dhe u transferua në një spital tjetër.
Spitali al-Shifa, dikur më i madhi në Gaza, është tani pothuajse i shkatërruar. Shumë krevate janë pa dyshekë, nuk ka pajisje dhe stafi po punon në kushte të papastra, nën rrezik të vazhdueshëm.
Izraeli nisi ofensivën në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, deri më tani janë vrarë të paktën 65,382 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.