Më 17 tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet për pushtetin vendor në 38 komunat e vendit. Organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, bëri thirrje sot për përmirësime në sistemin zgjedhor që do të mundësonin rritjen e cilësisë së këtyre zgjedhjeve. Kjo organizatë tha se mungesa e transparencës së mënyrës së financimit, keqpërdorimi i burimeve publike dhe përfshirja e ultë e grave në listat zgjedhore, mbeten disa nga mangësitë që kanë përcjellë zgjedhjet e deritashme komunale.
Kosova do të mbajë zgjedhjet për pushtetin komunal më 17 tetor dhe në terren tashmë ka nisur një fushatë jozyrtare elektorale, ndërsa shoqëria civile po bën thirrje për shmangien e parregullsive të trashëguara nga proceset e mëparshme zgjedhore.
Eugen Cakolli nga Organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, tha të shtunën se përdorimi i burimeve publike për qëllime të fushatës mbetet një prej dukurive më negative që përcjellin procesin e zgjedhjeve komunale.
“Ky fenomen është më tipik për komunat në të cilat qeverisin subjektet që qeverisin edhe me nivelin qendror. mirëpo që nuk përjashtohen rastet që edhe kryetarët aktual të komunave të shfrytëzojnë resurset për qëllime të fushatave”, tha ai.
Vëzhguesit tërheqin vëmendjen edhe tek çështja e financimit të fushatave të partive politike.
“Subjektet politike duhet të ndërtojnë platforma të qarta dhe konkrete që adresojnë problemet e qytetarëve dhe të publikojnë ato sa më herët që të jetë e mundur në formate të përshtatshme për qytetarët ndërsa kandidatët për kryetarë komunash apo Kuvende komunale duhet që të paraqesin të hyrat e tyre dhe shpenzimet e fushatës në kohë reale si vlerë e shtuar e procesit”, tha zoti Cakolli.
Rezarta Delibashzade Krasniqi tha se partitë politike u kanë dhënë shumë pak hapësirë grave në konkurrencën për zgjedhjet lokale.
“Nga monitorimi që kemi bërë ndër vite kemi vërejtur se në lista zgjedhore respektohet vetëm minimum i kuotës pra vetëm 30 për qindëshi dhe anashkalohet tërësisht respektimi i ligjit për barazi gjinore i cili garanton përfaqësim të drejtpërdrejt 50 me 50 për të dy gjinitë. Në të njëjtën kohë kemi vërejtur që ekziston edhe mungesa e hapësirës në fushatë zgjedhore ku nga monitorimi i deritanishëm kemi parë që janë vetëm 20 për qind gra të cilat marrin pjesë si folësve në fushatë dhe pjesëmarrëse në këto fushata apo organizime janë vetëm 10 për qind”, tha ajo.
Demokracia në Veprim kritikoi ndërkaq partitë për fillimin e fushatës zgjedhore para kohës së fillimit të saj zyrtar gjë që sipas kësaj organizate krijon pabarazi ndërmjet subjekteve të mëdha dhe atyre të më të vogla.
Zgjedhjet për pushtetin lokal pritet të mbahet në 38 komuna të Kosovës ndërsa partitë e mëdha po përqendrohen më shumë në qytetet e mëdha të Kosovës, ku pritet edhe konkurrenca më e ashpër./Gazeta Enigma/