Një minator 38-vjeçar ka humbur jetën të mërkurën në Bulqizë të Shqipërisë.
Sipas policisë atje, ngjarja tragjike ndodhi si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri të minierës.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
“Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë, në subjektin minerar ku humbi jetën dje shtetasi K. D., arrestohen 2 punonjës të stafit teknik dhe procedohet penalisht, në gjendje të lirë, drejtuesi teknik i subjektit”.
“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar”.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen”, thuhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.